Human Edge Albania

Sfidat e Rekrutimit në Shqipëri

Diskutohet shpesh për faktin se në Shqipëri nuk ka një treg pune të zhvilluar dhe se mundësitë janë të kufizuara. Edhe kur hapen pozicione të reja, ato nuk janë gjithmonë të përshtatshme, sepse kushtet e punës nuk përputhen me kërkesat e pozicioneve që ofrohen. Niveli i pagës shpesh nuk është në përpjesëtim të drejtë me përgjegjësitë që duhet të mbulohen. Kjo është një nga sfidat kryesore të tregut të punës në Shqipëri.

Megjithatë, nga përvoja ime në fushën e Burimeve Njerëzore, kam pasur mundësinë të bashkëpunoj me disa biznese që vërtet vlerësojnë individët, formimin dhe eksperiencën e tyre. Këto kompani ofrojnë mundësi të vërteta punësimi, ku punonjësit ndihen të vlerësuar dhe të motivuar. Kushtet janë të përshtatshme dhe pagat janë në përputhje me përgjegjësitë dhe pritshmëritë. Kur ka një marrëdhënie të balancuar midis mundësive të ofruara dhe pritshmërive të punonjësve, krijohet një mjedis pune ku të gjithë ndihen të motivuar.

Një nga proceset më të rëndësishme në fushën e Burimeve Njerëzore është përzgjedhja e kandidatëve për pozicionet vakante. Ky është një proces i ndërlikuar dhe, siç dihet, është shumë e rëndësishme që të identifikohen kandidatë që përmbushin jo vetëm kërkesat formale, por që gjithashtu kanë aftësitë dhe potencialin për të kontribuar në mënyrë efektive në organizatë.

Një problematikë që hasim shpesh është se shumë aplikantë nuk i lexojnë me kujdes kërkesat e pozicioneve dhe dërgojnë CV që nuk përputhen me asnjë nga kriteret e kërkuara. Kjo është një humbje kohe për të dyja palët, pasi aplikantët që nuk janë të kualifikuar për pozicionet që shpallen nuk mund të kalojnë në fazën e përzgjedhjes. Shpesh shohim që CV-të që dërgohen përmbajnë informacion që nuk ka lidhje me pozicionet përkatëse, qoftë në aspektin e arsimit, qoftë në atë të përvojës së punës.

Një tjetër çështje që ndodh shpesh është ekzagjerimi i aftësive dhe përvojës nga ana e disa aplikantëve.

Ata shpesh paraqesin aftësi që nuk i kanë ose ndonjë eksperiencë që nuk e kanë pasur ashtu siç është paraqitur. Ky është një problem i theksuar, pasi pas intervistave, bëhet shumë e qartë për cilat fusha janë kompetentë dhe për cilat jo. Shpesh, aplikantët që duken të përshtatshëm në CV-të e tyre, në intervistë tregojnë se nuk kanë njohuri të mjaftueshme për ato që kanë deklaruar.
Kjo çon në një situatë të panevojshme për të dyja palët, pasi ekzagjerimi dhe moskorrektësia në paraqitjen e aftësive nuk ndihmon as aplikantin dhe as punëdhënësin. Këto dukuri krijojnë një barrierë që mund të dëmtojë procesin e rekrutimit dhe besimin midis aplikantëve dhe punëdhënësve.

Është e qartë se nevoja për një komunikim më të hapur dhe të qartë midis aplikantëve dhe punëdhënësve është thelbësore. Kandidatët duhet të jenë më të sinqertë në lidhje me aftësitë dhe përvojën e tyre, ndërkohë që punëdhënësit duhet të sigurojnë që kriteret e kërkuara të jenë të qarta dhe të sakta, për të shmangur keqkuptimet dhe humbjen e kohës.

A është e mundur të ndërtojmë një kulturë të besueshmërisë dhe sinqeritetit mes aplikantëve dhe punëdhënësve, për të arritur një përputhje më të mirë mes mundësive dhe aftësive?